Aksident me fatalitet në rrugën Viti–Ramnishtë

Ka ndërruar jetë njëri prej të lënduarve në aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi të enjten në rrugën Viti–Ramnishtë.

Kështu bëjnë me dije burime të Plus Tv nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe nga stacioni policior i Vitisë.

Reklame

Viktima është Z. H., rreth 70 vjeç, i cili nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra nga aksidenti.

Për rastin është deklaruar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Ju njoftojmë se sot, më 28.05.2026, rreth orës 08:30, në rrugën Viti – Ramnishtë, ka ndodhur një aksident trafiku ndërmjet dy veturave. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Trafikut Rajonal, ndërsa sipas hetimeve të para, lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, të cilët janë banorë të Komunës së Vitisë.
Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Gjilan për trajtim mjekësor. Personi i lënduar, rreth 70-vjeçar nga fshati Lubishtë i Komunës së Vitisë, përkundër përpjekjeve të mjekëve dhe trajtimit të ofruar në Spitalin e Gjilanit, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj drejtuesit tjetër të automjetit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti të rëndë janë duke u zhvilluar nga hetuesit rajonalë të aksidenteve të trafikut të Policisë së Kosovës në Gjilan“.

Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij aksidenti tragjik.

By admin1