Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 30 të tjerë janë plagosur pas një aksidenti të rëndë rrugor në perëndim të Meksikës.
Sipas autoriteteve, një autobus turistik që transportonte pasagjerë nga shteti Jalisco doli nga rruga dhe u përmbys pranë qytetit Amatlán de Cañas, në shtetin Nayarit. Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta.
Fillimisht, gjashtë persona u nxorën të pajetë nga vendngjarja, ndërsa pesë të tjerë ndërruan jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Aksidentet rrugore me pasoja fatale janë të shpeshta në Meksikë. Në shtatorin e kaluar, të paktën 10 persona humbën jetën dhe mbi 60 të tjerë u plagosën pasi një tren mallrash u përplas me një autobus në qendër të vendit. Ndërsa në shkurt të vitit 2025, më shumë se 40 persona vdiqën në jug të vendit, kur një autobus që udhëtonte nga Tabasco drejt Cancún u përplas me një kamion dhe shpërtheu në flakë.

