Aktori i njohur bëhet baba, zbulon emrin dhe gjininë e foshnjës

Një kapitull i ri ka nisur për yllin e “Twilight”, Taylor Lautner, dhe bashkëshorten e tij, Tay Lautner.

Çifti ka mirëpritur fëmijën e tyre të parë, një vajzë të cilën e kanë pagëzuar Lennon Taylor Lautner. Lajmin e ëmbël e kanë ndarë me ndjekësit përmes një postimi të përbashkët në Instagram, duke bërë të ditur se vogëlushja ka lindur më 16 shtator 2026.

Në postimin e tyre, Taylor dhe Tay publikuan edhe fotografinë e parë të vajzës. Në imazh, pranë foshnjës shihet një dekorim me një arush të vogël ngjyrë kafe, ku është qëndisur emri i saj.

Çifti e kishte bërë publik lajmin për shtatzëninë në muajin mars, përmes disa fotografive ku shfaqnin ekografinë e foshnjës. Me atë rast, aktori i njohur për rolin e tij në “Twilight” kishte shoqëruar postimin me një pyetje humoristike: “Çfarë është më mirë se dy Taylor Lautner?”.

Gjatë gjithë shtatzënisë, Tay ka ndarë herë pas here me ndjekësit momente nga përgatitjet dhe përjetimet e saj drejt mëmësisë.

Taylor dhe Tay u martuan në vitin 2022, pas katër vitesh lidhje. Për aktorin, ardhja e fëmijës shënon realizimin e një dëshire që e kishte shprehur prej vitesh. Që në vitin 2016, Lautner kishte folur publikisht për dëshirën për të krijuar një familje dhe për t’u bërë baba.

Tashmë, çifti ka nisur zyrtarisht një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës së tyre: atë të prindërimit.