Aktorja e njohur turke kapet mat në eventin privat të Butrintit

Mbrëmja e djeshme shënoi një nga eventet më të rëndësishme në karrierën e Butrint Imerit. Këngëtari organizoi një festë tejet private për të promovuar albumin e tij më të ri, “I pari”, i cili pritet të publikohet i plotë më 10 qershor. Në një ambient të kuruar dhe larg syrit të publikut të gjerë, Imeri mblodhi rrethin e tij të ngushtë, bashkëpunëtorët kryesorë dhe familjarët për të festuar këtë projekt kolosal me standarde ndërkombëtare.

Megjithatë, ndërsa vëmendja në skenë ishte tek premierat e videoklipeve dhe shpërblimi i paprecedentë prej 100 mijë eurosh për sfidën në TikTok, lajmi i vërtetë i mbrëmjes po zhvillohej larg dritave qendrore. Prej kohësh, rrjetet sociale dhe mediat kanë zier nga aludimet për një romancë të mundshme mes Butrintit dhe një emri shumë të njohur të kinematografisë turke. Deri më tani, gjithçka kishte mbetur në kuadrin e thashethemeve pa prova konkrete vizuale.

Kamera e Prive By Liberta Spahiu ishte e pranishme në këtë event ekskluziv dhe arriti të kapë mat pikërisht atë që i jep fund dilemave.

Larg zhurmës, e ftuar speciale në këtë natë ishte aktorja e famshme turke me origjinë shqiptare, Su Burcu Yazgi Coskun. Prania e saj në një festë kaq intime dhe të rëndësishme për artistin duket se vulos përfundimisht zërat për afërsinë e tyre. Ndonëse aktorja e kuptoi shpejt që ra në radarin e xhirimeve tona, momenti tashmë ishte i dokumentuar qartë.

Për publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar, Su Burcu nuk është një emër i panjohur. Ajo ka ndërtuar një karrierë të suksesshme që në fëmijëri, por kulmin e popullaritetit e arriti me rolin protagonist si Asiye në serialin fenomen “Kardeşlerim” (Vëllezërit e mi), si dhe ka spikatur në projekte të tjera televizive si “Kırmızı Oda” dhe “Aşk Yeniden”. Ndikimi i saj shtrihet gjerësisht edhe në botën digjitale, llogaria e saj zyrtare numëron plot 6.4 milionë ndjekës, duke e konfirmuar si një nga yjet më të ndjekur të gjeneratës së saj.