Kur kanë mbetur pak më shumë sesa tri javë para datës së organizimit të zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e di ende kush do t’i shtypë materialet për votimet e jashtëzakonshme më 7 qershor.
Asnjë kompani nuk ka ofertuar në tenderin e Komisionit Qendror të Zgjedhur (KQZ) për shtypjen e fletëvotimeve, broshurat e kandidatëve dhe listat e votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në mungesë të ofertuesve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka anuluar tenderin të mërkurën.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve anulon aktivitetin në mungesë të ofertuesve”, thuhet në vendimin e Zyrës së Prokurimit të KQZ-së, të publikuar të mërkurën në platformën e-prokurimi, raporton Paparaci.
KQZ-ja shpalli fiks para një jave, më 6 maj, tenderin për shtypjen e materialeve për votimet e jashtëzakonshme në rang nacional të cilat mbahen më 7 qershor.
Afati i fundit për dorëzimin e tenderëve ishte caktuar për të martën e 12 majit deri në orën 12:00 në mesditë.
Megjithatë, asnjë ofertë nuk mbërriti në Zyrën e Prokurimit të organit përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve brenda afatit, duke e lënë KQZ-në pa operator ekonomik për një prej proceseve më të rëndësishme teknike të organizimit të zgjedhjeve.
Ofertë për shtypjen e materialeve nuk ka dorëzuar as konsorciumi slloveno-kosovar ndërmjet CETIS d.d dhe CETKOS L.L.C., i cili ka shtypur fletëvotimet e disa palë zgjedhjeve të fundit lokale dhe qendrore në Kosovë.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura vitin e kaluar, konsorciumi slloveno-kosovar u implikua në një incident gjatë verifikimit të votave në dy komuna: Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
Incidenti ndërlidhej me akuzat e ngritura nga Partia Demokratike e Kosovës për manipulim të mundshëm të procesit zgjedhor për shkak të disa fletëvotimeve me gabime të cilat ishin shtypur nga CETIS d.o. Edhe në Gjakovë u vërejt i njëjti problem me kodet e vendvotimeve, por procesi atje u përmbyll pa kontestime.
Kompania sllovene, në një reagim për media, e pranoi gabimin në shtypjen e disa fletëvotimeve në formë të parregullt. U arsyetua në gabim teknik.
Pas anulimit të aktivitetit, KQZ-ja pritet të vendosë nëse do ta rishpallë tenderin apo do të përdorë ndonjë procedurë tjetër të përshpejtuar të prokurimit për të siguruar shtypjen e materialeve zgjedhore në kohë.
Ligji për zgjedhjet obligon KQZ-në që materialet zgjedhore të jenë të gatshme disa ditë para procesit të votimit, në mënyrë që të mund të shpërndahen në të gjitha komunat dhe qendrat e votimit në vend. /Paparaci.com


