Alarm nga LSDM: Qeveria po përgatit “plaçkitjen” e tokave dhe shkatërrimin e mjedisit!

LSDM ka reaguar ashpër ndaj ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Burimet Minerale, duke akuzuar VMRO-DPMNE për përgatitje të një “grabitjeje ekologjike” dhe rrezikim serioz të interesit publik.

Sipas LSDM-së, ligji nuk është në shërbim të qytetarëve, por favorizon interesa të ngushta biznesi të lidhura me pushtetin.

“Ky ligj është një skandal më vete,” theksojnë nga LSDM, duke renditur disa nga shqetësimet kryesore:

Rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik
Pretendimet se standardet mjedisore nuk do të preken cilësohen si mashtruese. Sipas tyre, dhënia e të drejtës për shfrytëzim përmes vendimeve të shpronësimit përjashton komunitetet lokale nga vendimmarrja dhe hap rrugë për miniera të imponuara.

Cenimi i pronës private
Ndryshimet, sipas LSDM-së, krijojnë mundësi për sekuestrimin e pronave të qytetarëve nën pretekstin e “interesit publik”, duke lënë çdo tokë të pasigurt.

Procedurë e përshpejtuar dhe mungesë transparence
Ata pyesin pse ligji po kalon me procedurë të shkurtuar nëse është në interes të shtetit, duke sugjeruar shmangie nga debati publik dhe ekspertiza profesionale.

Centralizim i pushtetit
Sipas opozitës, qeveria po merr kompetenca të tepërta, duke u shndërruar njëkohësisht në vendimmarrëse dhe zbatuese, gjë që ata e cilësojnë si “despotizëm energjetik”.

Në fund, LSDM kërkon tërheqjen e menjëhershme të amendamenteve dhe hapjen e një debati të gjerë publik.

“Fitimi i një pakice nuk mund të jetë mbi shëndetin dhe të ardhmen e qytetarëve,” përfundon reagimi.

By admin