Drejtuesit e Lëvizjes Anti Bixhoz kanë paralajmëruar protesta radikale, deri në bllokimin e rrugëve, për shkak të mosveprimit të institucioneve shtetërore ndaj kazinove, bastoreve dhe përgjithësisht lojërave të fatit.
Jushi Emërllahu, kryetar i Lëvizjes Anti Bixhoz, në një konferencë për media tha se i kanë dërguar nëntë kërkesa për takim kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe drejtuesve të VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje për takim.
“Deri sot kemi pezulluar aktivitetet e shoqatës Anti Bixhoz dhe kundër lojërave të fatit për shkak të premtimeve të subjekteve politike në pushtet. Gjatë gjithë fushatës parazgjedhore, edhe Izet Mexhiti edhe Bilall Kasami kanë bërë fushatë me kërkesat tona, por në realitet doli e kundërta. Në vitin 2023, UJP-ja ka inkasuar 1 miliard euro nga lojërat e fatit, ndërsa në periudhën 2024-2025 ka marrë 2.8 miliardë euro”, deklaroi Emërllahu.
Sipas tij, kjo situatë është alarmante, pasi në vend që të zvogëlohet numri i bastoreve, ai vazhdon të rritet.
“Ne i bëjmë apel kryeministrit dhe drejtuesve të VLEN-it që të ndërmarrin masa urgjente, sepse situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe të eskalojë edhe më shumë ky virus që na ka kapluar”, u shpreh Emërllahu.
Ai bëri të ditur se si Lëvizje Anti Bixhoz, përmes presionit të tyre, kanë arritur ta dërgojnë në Kuvend ligjin që rregullon funksionimin e lojërave të fatit.
“Ne nuk kemi vota dhe ligji nuk është miratuar. Pushteti nuk merret fare me këtë çështje, sepse ka interesa. Nuk na ka mbetur rrugë tjetër përveçse të dalim në protesta, të bllokojmë rrugët dhe të kërkojmë që lojërat e fatit të largohen nga 500 metra deri në 3 kilometra larg vendbanimeve”, deklaroi Emërllahu.

