Aleanca hedh thëngjill para dyerve të Qeverisë, Ramadani: Nga terri energjetik, Kosova po hyn në terr politik

Aleanca ka zhvilluar një aktivitet simbolik para hyrjes së objektit të Qeverisë së Kosovës, duke hedhur thëngjill para dyerve të objektit të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.

Sipas Aleancës, ky aksion synon të përcjellë mesazhin për krizën energjetike dhe, siç e cilësojnë ata, “terrin politik” në vend.

Ata kanë lënë në hyrje edhe një pankartë, me mesazhin: “Kurti dhe LVV, nga terri energjetik, në terrin politik”.

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se Kosova gjatë viteve të fundit ka kaluar nga terri energjetik drejt një situate që ai e konsideron terr politik.

“Me Kurtin dhe me Vetëvendosjen, gjashtë-shtatë vitet e fundit Kosova nga një terr energjetik, që e kanë mbajtur, po kalon në terr politik”, deklaroi Ramadani.

Ai tha se simbolika e thëngjillit lidhet me pasuritë nëntokësore të Kosovës, duke kritikuar mungesën e investimeve në sektorin energjetik dhe blerjen e energjisë nga jashtë.

“Mesazhi dhe simbolika e thëngjillit, e qymyrit të Kosovës, është se Kosova edhe më tutje po flen mbi qymyr, por rryma nuk prodhohet këtu”, tha Ramadani.

By admin7