Aliu zbulon planin për shëndetësinë: 205 milionë euro investime dhe tomograf i ri për Strumicën

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se Spitali i Strumicës është pjesë e një plani më të gjerë për forcimin e kapaciteteve shëndetësore rajonale dhe përmirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbime cilësore shëndetësore.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare, Aliu bëri të ditur se tomografi kompjuterik (CT) do të instalohet javën e ardhshme në Spitalin e Strumicës, në përputhje me të gjitha standardet, duke u mundësuar qytetarëve të rajonit qasje më të lehtë në diagnostikim modern.

Reklame

Ministri theksoi se institucioni ishte trashëguar me mbi 100 milionë denarë borxh, por falë menaxhimit më të mirë financiar, borxhi tashmë është ulur për 20 milionë denarë. Sipas tij, në spital është rikonstruktuar edhe një repart i tërë, i cili ndodhet në fazën e pranimit teknik dhe pritet së shpejti të vihet në funksion.

Aliu nënvizoi se Ministria e Shëndetësisë po zhvillon politika të bazuara në analiza funksionale për secilin rajon, duke marrë parasysh nevojat e pacientëve, kapacitetet njerëzore dhe shërbimet ekzistuese shëndetësore.

Ai përmendi edhe qendrën onkologjike në Manastir, të cilën e cilësoi si një nga më modernet në vend, ndërsa tha se po punohet për zgjerimin e disponueshmërisë së shërbimeve onkologjike për qytetarët e rajonit.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se Qeveria ka planifikuar investime prej 205 milionë eurosh në infrastrukturën shëndetësore në Shtip, Kërçovë dhe Tetovë, me qëllim modernizimin e objekteve dhe përmirësimin e kushteve për pacientët dhe stafin mjekësor.

Në fokus të reformave mbetet edhe dixhitalizimi i sistemit shëndetësor. Aliu njoftoi se është në përgatitje Strategjia Kombëtare për Transformimin Dixhital të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa pas më shumë se një dekade po realizohen investime edhe në infrastrukturën dixhitale dhe qendrat e të dhënave.

Sipas tij, synimi është ndërtimi i një sistemi shëndetësor më modern, më efikas dhe më të qasshëm për qytetarët në të gjitha rajonet e vendit.

By admin