Një sulm i rëndë me thikë ka tronditur mëngjesin e së enjtes stacionin e trenit në Winterthur, ku një 31-vjeçar zvicran ka sulmuar disa kalimtarë, raportojnë mediat zvicerane.
Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, nga incidenti kanë mbetur të plagosur tre persona, njëri prej tyre në gjendje më të rëndë, ndërsa dy të tjerë me lëndime mesatare. Të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital për trajtim mjekësor.
I dyshuari është neutralizuar dhe arrestuar në vendin e ngjarjes nga policia dhe sigurimi i stacionit.
Dëshmitarë okularë kanë deklaruar se autori gjatë sulmit ka bërtitur disa herë “Allahu Ekber”, duke shkaktuar panik dhe frikë te qytetarët që ndodheshin në afërsi. Sipas tyre, shumë persona janë larguar me vrap për t’i shpëtuar rrezikut, ndërsa mes tyre kishte edhe fëmijë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30, ndërsa policia ka rrethuar përkohësisht zonën përreth stacionit për të zhvilluar hetimet. Në vendin e ngjarjes janë vendosur barriera dhe mbrojtëse vizuale, ndërsa autoritetet po hetojnë motivin e sulmit, i cili ende nuk është bërë i ditur.


