Në një tjetër ndeshje klasike, Argjentina siguroi një vend në finalen e madhe të Kupës së Botës pas një fitoreje dramatike 2:1 ndaj Anglisë. Megjithatë, përveç festimeve në fushë, lajm kryesor i mediave botërore u bë një detaj komik i regjistruar menjëherë pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit.
Ndërsa anglezët po vajtonin, skuadra kombëtare argjentinase gjeti në fushë një shishe që i përkiste portierit anglez Jordan Pickford.
Si pjesë e përgatitjeve të detajuara për goditjet e mundshme të penalltive, Jordan Pickford kishte të shkruara në shishen e tij udhëzime me mënyrën sesi futbollistët e Argjentinës i ekzekutojnë penalltitë.
Lista përfshin emrat e yjeve kryesorë argjentinas si Lautaro Martinez, Julian Alvarez, Enzo Fernandez dhe Lionel Messi. Çdo emër shoqërohej me udhëzime të sakta për portierin (p.sh. “hidhu majtas – hidhu djathtas”, “qëndro në qendër”, “mashtro djathtas – hidhu majtas”).
Kamerat kapën momentin kur Nico Gonzalez, Lionel Messi dhe mbrojtësi Marcos Senesi po studionin çka shkruhej në shishe. Mediat argjentinase shpejt e deshifruan dialogun e tyre, i cili menjëherë u bë viral:
Nico Gonzalez: “Shih çfarë gjeta. Ka shënime për Lautaro, Julianin…”
Anëtari i stafit të trajnerëve: “Po, të gjithë lojtarët janë këtu.”
Lionel Messi: “Çfarë?! Por çfarë domethënie kanë këto shënime?”
Anëtar i stafit të trajnerëve: “Senesi, lexoje… Ti flet anglisht.”
Marcos Senesi: “Thuhet se nga duhet të hidhet portieri…”
Lionel Messi: “E ke fjalën për portierin (Pickford)?”
Marcos Senesi: “Po. Për ty, Leo, thuhet: ‘bëj sikur shkon majtas, por hidhu djathtas’.”
Lionel Messi (me një buzëqeshje në fytyrë): “Paska studiuar me të vërtetë në detaje se si i gjuaj penalltitë…”




