Autoritetet turke kanë arrestuar pesë të dyshuar të tjerë, si pjesë e hetimeve për korrupsion në administratën e qytetit të Stambollit të udhëhequr nga opozita.
Ata akuzohen për pranim ryshfeti dhe pastrim parash, raportoi të martën agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, duke cituar zyrën e prokurorit publik të Stambollit.
Midis të arrestuarve janë ish-nënkryetari i bashkisë së distriktit të Beshiktashit dhe kreu i departamentit të burimeve njerëzore të bashkisë.
Të hënën, 57 të dyshuar u arrestuan gjatë një bastisjeje në një degë të qeverisë së qytetit të Stambollit. Ata përballen me akuza që lidhen me manipulimin e tenderëve për kontrata.
Arrestimet janë pjesë e një sërë masash të ngjashme kundër këshillave lokale të udhëhequra nga partia kryesore e opozitës, Partia Republikane Popullore ose CHP.
Në mars të vitit të kaluar, arrestimi dhe shkarkimi nga detyra i kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, shkaktoi protesta mbarëkombëtare. Ai aktualisht është në gjyq për akuza për korrupsion.
Imamoglu konsiderohet si rivali më i fortë i presidentit të hershëm, Rexhep Tajip Erdogan. Partia CHP beson se procedurat janë të motivuara politikisht dhe akuzon qeverinë se po përpiqet ta pengojë Imamoglun të kandidojë si kandidat presidencial në vitin 2028. Qeveria e mohon këtë./ DPA News.


