Policia e Shqipërisë ka zbardhur një rast vjedhjeje të rreth 40 000 kilogramëve kafe nga një subjekt tregtar gjatë një periudhe trevjeçare. Policia arrestoi dy magazinierë, A. K. (35) dhe V. K. (29), ndërsa nisi procedim në gjendje të lirë për një shpërndarës 29-vjeçar. Sipas hetimeve, të dyshuarit, në bashkëpunim, kanë përfituar rreth 800 000 euro nga shitja e kafesë së vjedhur.
“Vodhën 40 000 kg kafe në subjektin ku punonin dhe e shitën, vihen në pranga 2 magazinierë dhe në hetim shpërndarësi. Nga kjo veprimtari kriminale e kryer përgjatë 3 viteve, 3 shtetasit dyshohet se kanë përfituar 800 000 euro. Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera mbi kallëzimin e administratores së një subjekti në fushën e prodhimit/tregtimit të kafesë, se kishte konstatuar vjedhjen e një sasie të madhe produkti, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Inventari”. Si rezultat i operacionit: -u vunë në pranga shtetasit A. K., 35 vjeç dhe V. K., 29 vjeçe, magazinierë në këtë subjekt; -nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 29 vjeç, shpërndarës. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, gjatë një periudhe trevjeçare, kanë vjedhur 40 000 kilogramë kafe, nga shitja e së cilës kanë përfituar 800 000 euro. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thonë nga Policia e Shqipërisë.

