Arrestohen tre të dyshuar për sulmin ndaj një 14-vjeçari në Gazi Babë

Pas një hetimi disa ditor, policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për sulmin brutal ndaj një djali 14-vjeçar, i cili ndodhi javën e kaluar në lagjen Gazi Babë të Shkupit. Ndaj tyre do të ngrihet kallëzim penal pasi rasti të dokumentohet plotësisht.

Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, sulmi ka ndodhur më 22 qershor, rreth orës 23:05, kur tre të dyshuarit e kanë sulmuar fizikisht të miturin dhe i kanë shkaktuar plagë me një mjet të mprehtë, raportoi 4news.mk.

Prindërit e djalit të lënduar deklaruan më herët se djali i tyre ishte sulmuar pa asnjë arsye. Sipas tyre, sulmuesit fillimisht e kanë rrahur, ndërsa më pas njëri prej tyre ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur.

Si pasojë e plagëve, 14-vjeçari ka humbur ndjenjat, ndërsa sulmuesit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Të miturin e ka gjetur një kalimtar i rastit, i cili menjëherë ka njoftuar Ndihmën e Shpejtë dhe policinë. I plagosuri është dërguar në Qendrën Emergjente, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se me personat e arrestuar janë zhvilluar biseda zyrtare dhe se, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihet kallëzimi përkatës penal.

By admin7