Një 29-vjeçar nga Shkupi është arrestuar mbrëmjen e së dielës në fshatin Vizbeg, pasi kërkohej me urdhër gjykate për vuajtjen e pjesës së mbetur të një dënimi me burg prej shtatë vjet e një muaj.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, arrestimi është kryer më 29 qershor, rreth orës 20:00, nga nëpunësit policorë të Njësitit të Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup.
Paraprakisht, 29-vjeçari me inicialet S.Sh. ishte sjellë në mënyrë agresive në Qendrën e Azilit në Vizbeg, ku dyshohet se kishte kërcënuar një grua me një send të mprehtë. Pas incidentit, ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet taksi.
Policia bëri të ditur se, pas ndërmarrjes së masave, automjeti u ndalua, ndërsa personi u privua nga liria. Gjatë kontrollit, policia i gjeti dhe sekuestroi një thikë.
Pas verifikimeve në evidencën operative, u konstatua se S.Sh. kërkohej me urdhër gjykate për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit me burg prej shtatë vjet e një muaj.
Pas arrestimit, ai është shoqëruar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues “Idrizovë”, ku do të vuajë dënimin.

