Arrestohet Egzon Reshani, i kërkuari për fajde që kërcënoi Kryeprokurorin e Prizrenit

Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar Egzon Reshanin, i cili kishte dy urdhërarreste aktive të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prizren.

Reshani u ndalua nga policia kufitare në Muçivërcë, sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës.

“Më datë 03.08.2026, pak pas orës 22:00, Policia e Kosovës, gjegjësisht zyrtarët e Policisë Kufitare, në SPMK-Muqivërcë, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare, në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, kanë identifikuar një automjet të dyshuar duke lëvizur nga drejtimi i fshatit Breznicë/Serbi, në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Pas vlerësimit të situatës, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme operative me ç’ rast automjeti është ndaluar në fshatin Novosellë, ku gjatë kontrollit policor, pasagjeri në automjet, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar t’i shmanget zyrtarëve policorë duke ularguar me vrap në drejtim të vijës kufitare, përkatësisht drejt fshatit Breznicë/Serbi”, tha policia.

“Zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe, pas veprimeve profesionale, kanë arritur ta ndalojnë dhe arrestojnë të njëjtin në afërsi të vijës kufitare, duke parandaluar largimin e tij nga territori i Republikës së Kosovës”.

Reshani dyshohet për kryerjen e dy veprave penale: “Fajde” dhe “Tentim vrasje”.

Pas arratisjes, ai ishte lajmëruar në rrjetet sociale duke kërcënuar zyrtarët policorë të Sektorit të Hetimeve Rajonale në Prizren.

Në një video, ai kishte filluar duke kërcënuar dikë se do t’ua zë pengë fëmijët, e më tej përmend edhe zyrtarët policorë të Sektorit të Hetimeve Rajonale në Prizren: Xhavit Berisha- rreshter, Tafil Gashi- hetues dhe Fitim Haxhifazliu- rreshter,

“Fëmijët kam me iua nxanë peng, gratë kam me ia q*, mos harroni. Xhavit qorri i k***, Tafili, Fitimi, që janë marrë me mu, rune familjen po të kallxoj, runë familjen se kam me ia q* familjen unë kam me u marr me juve, ju jeni mesu me femije o shoq, a je Polic hajdeni kapemi, i gjalle si bi ne dorë po i dekt po, po i dekt ju kallxoj. Unë i q* gratë e policëve, gratë e Njësisë Speciale edhe atij që i kam plagosë ia q*”, dëgjohet duke thënë në video.

Në po të njëjtën paraqitje, ai ka kërkuar edhe nga kryeprokurori i Prokurosisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, që ta arrestojë.

“Hajde more live jom, more Petrit p***, hajde kapem, hajde kapem, ti je mesu me kap femije, me kap fëmijë në flagrancë mu jo, unë ta q* familjen. Ti k*rve Policë e Petrit, t’i mundesh me i ndjeke njerëzit e mirë, unë ia q* gratë ty e krejtve, mos harro, mu s’ka p*** nane që..”, është shprehur ai.

Tutje, Reshani ka thënë se nuk është “fajdexhi”, përkundër se është shprehur se dikujt paratë ia merr me detyrim.

“Po unë fajde nuk jap, unë fajdegji nuk jom, unë ia lypi dikujna 500 euro, 1 mijë, dikujna ja marr me zor po unë fajdegji nuk jom”, kishte thënë ai.

Pas kësaj videoje, Reshanit i ishte hapur rast për kanosje. Ndërkaq, kërcënimet e të pandehurit i kishte dënuar edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

By admin7