Artistët tërhiqen nga festivali për 250-vjetorin e Pavarësisë, Trump: Anulojeni! Do bëj një miting

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka kërkuar anulimin e shfaqjeve muzikore që po organizohen për të festuar 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-ve, pasi disa artistë u tërhoqën nga eventi për shkak të lidhjeve të tij me Shtëpinë e Bardhë.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi “Anulojeni”, duke i quajtur artistët e planifikuar “të shtrenjtë pa arsye” dhe “të mërzitshëm”.

Reklame

Sipas organizatorëve, deri të dielën vetëm disa nga artistët e paralajmëruar fillimisht kishin mbetur në program, pasi disa prej tyre u tërhoqën. Mes tyre ishin Martina McBride, The Commodores, Young MC dhe Bret Michaels.

Ndërkohë siç shkruan BBC, Vanilla Ice dhe Milli Vanilli mbeten të planifikuar për datën 26 qershor, ndërsa Flo Rida pritet të performojë më 2 korrik.

Megjithatë, Trump tha gjithashtu se po shqyrton mundësinë që eventi të zëvendësohet me një miting politik të “Make America Great Again”.

Eventi i titulluar “Freedom 250”, i cili organizon një seri koncertesh të “Great American State Fair”, u krijua vitin e kaluar me mbështetjen e administratës Trump dhe drejtohet nga një CEO i emëruar prej tij. Megjithatë, organizatorët e përshkruajnë atë si një iniciativë jopartiake.

Shtëpia e Bardhë po bashkëpunon me “Freedom 250” në kuadër të një serie aktivitetesh që synojnë të shënojnë 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-ve.

Organizatorët njoftuan se Trump do të jetë figura kryesore në ceremoninë hapëse të festivalit që do të zhvillohet më 24 qershor në Uashington DC.

Paralelisht, Kongresi i SHBA-ve ka krijuar organizatën “America250” për të koordinuar festimet zyrtare të përvjetorit, e cila drejtohet nga përfaqësues të të dy partive politike dhe organizon aktivitete në mbarë vendin.

Ngjarjet kryesore të “Freedom 250” do të zhvillohen në National Mall në Uashington DC, nga 25 qershori deri më 10 korrik, duke përfshirë koncerte dhe aktivitete të ndryshme.

Debatet për pjesëmarrjen e artistëve u intensifikuan pasi disa prej tyre thanë se nuk ishin informuar plotësisht për natyrën politike të eventit. Këngëtarja Martina McBride deklaroi se i ishte paraqitur si një event jopartiak, ndërsa të tjerë u shprehën se nuk dëshironin të merrnin pjesë në një aktivitet të politizuar.

Nga ana tjetër, Vanilla Ice mbrojti pjesëmarrjen, duke thënë se bëhet fjalë për një festë të përvjetorit të Amerikës dhe jo një platformë politike.

Trump ka sugjeruar gjithashtu organizimin e një mitingu të madh në të njëjtën ditë dhe vend, duke e quajtur veten “tërheqja numër një në botë”. Madje ai tha se “ka audienca më të mëdha se Elvis Presley në kulmin e tij”.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të festimeve të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-ve janë planifikuar edhe aktivitete të tjera, përfshirë një event të UFC-së në ambientet e Shtëpisë së Bardhë dhe një garë e Grand Prix në Uashington DC gjatë verës.

By admin5