Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj ndarjes së Çmimit shtetëror “8 Shtatori”, duke kritikuar faktin se mes fituesve nuk gjendet asnjë shqiptar, shkruan gazeta KOHA.
Sipas BDI-së, edhe këtë vit shqiptarët janë lënë jashtë çmimeve, përmes të cilave ndahet mirënjohja më e lartë për vepër jetësore, si dhe katër shpërblime financiare për arritje në fushën e sportit.
“Zero shqiptarë. Asnjë sportist, trajner apo emër shqiptar nuk u konsiderua i denjë për këtë vlerësim shtetëror”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti theksojnë se një rezultat i tillë nuk duhet parë vetëm si përbërje e një liste fituesish, por si tregues i një qasjeje që, sipas tyre, i përjashton shqiptarët nga hapësirat ku shteti duhet të njohë kontributin, suksesin dhe talentin e qytetarëve të tij.
BDI rikujton se sportistët shqiptarë kanë përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në gara ndërkombëtare, kanë fituar medalje dhe kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e sportit, por pretendon se ata anashkalohen në momentin kur duhet të marrin vlerësime shtetërore.
“Cili është kriteri që i bën shqiptarët të padukshëm edhe kur bëhet fjalë për sport dhe arritje profesionale? A është ky ‘përfaqësimi i drejtë dhe adekuat’ që premtoi VLEN-i, apo edhe një dëshmi se shqiptarët po trajtohen si qytetarë të dorës së dytë?”, pyet BDI-ja.
Partia kërkon transparencë të plotë për kriteret e përzgjedhjes, procedurën e zbatuar dhe përbërjen e komisionit që ka vendosur për ndarjen e çmimeve.
“Zero shqiptarë nuk mund të jetë gjithmonë rastësi. Kur përjashtimi përsëritet, ai bëhet politikë”, thuhet në reagim.
BDI paralajmëron se nuk do të heshtë përballë asaj që e cilëson si politikë diskriminimi dhe përpjekje për fshirjen e kontributit të shqiptarëve nga institucionet shtetërore. (koha.mk)



