Avioni i Pedro Sanchez bën ulje emergjente në Ankara pë shkak të një defekti

Avioni që transportoi kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez në Armeni për të marrë pjesë në samitin e komunitetit politik evropian u detyrua të ulej në kryeqytetin turk, Ankara, të dielën e kaluar për shkak të një “emergjence teknike”, njoftuan shërbimet e kreut të qeverisë spanjolle.

“Delegacioni spanjoll do të kalojë natën në Ankara përpara se të rifillojë udhëtimin për në Armeni nesër (red.: sot, të hënë)”, sipas të njëjtit burim, i cili nuk dha sqarime të mëtejshme mbi natyrën e problemit që lindi.

Një burim i AFP-së, i cili foli në kushte anonimiteti, kishte raportuar më parë se avioni i kryeministrit socialist Sanchez kishte bërë një ulje emergjente në Ankara, pa hyrë në detaje.

Sanchez po udhëton për në kryeqytetin armen, Jerevan, për samitin e 8-të të Komunitetit Politik Evropian (EPC), një forum joformal që mblidhet dy herë në vit me pjesëmarrjen e pothuajse të gjitha vendeve në kontinentin evropian, anëtarëve të BE-së dhe jo-anëtarëve të BE-së , me përjashtim të vetëm që janë Rusia dhe Bjellorusia.

Kryeministri kanadez Mark Carney është ftuar gjithashtu në takim. Do të jetë hera e parë që një shtet jo-evropian merr pjesë në takimin e EPC-së, një shenjë e afrimit që po zhvillohet midis Evropës dhe Kanadasë për t’iu kundërvënë sulmeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Kryeministri Sanchez është mjaft popullor në Turqi, pjesërisht për shkak të mbështetjes së tij të palëkundur për kauzën palestineze në vitet e fundit dhe pjesërisht për shkak të kundërshtimit të tij ndaj luftës së zhvilluar nga SHBA-të dhe Izraeli kundër Iranit.

By admin5