Tifo-grupi “Ballistët”, që mbështet klubin e futbollit KF Shkëndija, ka reaguar ashpër ndaj, siç thonë ata, trajtimit të padrejtë të ekipit nga arbitrat dhe strukturat e futbollit gjatë sezonit të kaluar.
Në një reagim publik, Ballistët pretendojnë se Shkëndija është dëmtuar vazhdimisht nga vendimet e arbitrave, të cilat sipas tyre kanë qenë të ndikuara nga qarqe brenda federatës së futbollit. Ata theksojnë se pakënaqësia dhe kritikat e shprehura gjatë sezonit janë rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj qasjeje ndaj klubit tetovar.
“Klubi ynë është dëmtuar këtë vit nga ana e gjyqtarëve me tendencë të porositur nga federata e futbollit. I gjithë mllefi i shprehur nga ana jonë është pasojë e kësaj qasjeje kundër Shkëndijës, një klub që ka sjellë suksese në arenën ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Tifo-grupi kritikon edhe deklaratat publike të përfaqësuesve të federatës, të cilat i cilëson si joprofesionale dhe të papërshtatshme për një institucion që, sipas tyre, duhet të jetë neutral. Ata pretendojnë se gjatë sezonit janë sulmuar publikisht figura të lidhura me klubin, duke argumentuar se kjo ka prekur ndjenjat e një pjese të madhe të tifozëve shqiptarë.
“Kur sulmohet Shkëndija, preken ndjenjat e një komuniteti të gjerë tifozësh dhe të një etnikumi të tërë. Kjo lë të kuptohet se ekziston një urrejtje patologjike ndaj ekipit tonë”, theksojnë Ballistët.
Në reagimin e tyre, ata bëjnë thirrje që politika të mos ndërhyjë në sport, duke paralajmëruar se tensionet e krijuara në futboll mund të reflektohen edhe në fusha të tjera të jetës shoqërore.
“Porosia jonë kryesore është që politika të heqë duart nga sporti. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa drejtësi për klubin tonë”, thuhet më tej në deklaratë.
Ballistët akuzojnë gjithashtu një pjesë të mediave maqedonase se po përpiqen të dramatizojnë situatën me qëllim që të ndëshkohet Shkëndija. Ata mbrojnë qëndrimet dhe reagimet e tyre, duke i cilësuar si përgjigje ndaj ofendimeve dhe thirrjeve me bazë etnike që, sipas tyre, janë dëgjuar nga grupet kundërshtare.
Megjithatë, në fund të reagimit, tifo-grupi uron FK Sileks për fitoren e arritur, duke e cilësuar atë si të merituar, ndërsa shpreh shpresën që sezoni i ardhshëm të karakterizohet nga më shumë drejtësi dhe barazi në të gjitha garat futbollistike, si në kampionat ashtu edhe në Kupë.


