Qytetarë të shumtë nga Rugova e Pejës u mblodhën para Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit për të kundërshtuar vendimin për ndalimin e mallrave dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.
Protestuesit thanë se ky vendim po dëmton jetën dhe zhvillimin ekonomik të banorëve të kësaj treve, duke kërkuar që institucionet ta rishqyrtojnë urgjentisht këtë masë.
Në emër të bashkësisë lokale, Agron Nikqi tha se banorët e Rugovës nuk do të heqin dorë nga e drejta për të jetuar dhe zhvilluar pronat e tyre, duke e cilësuar vendimin si diskriminues dhe të padrejtë ndaj komunitetit lokal.
“Sot kemi ardhë, të gjithë banorët e Rugovës dhe viseve të tjera, të cilët po protestojnë kundër vendimit të paligjshëm të ministres Pacolli. Prandaj, qytetarë të nderuar, shpresoj se kësaj radhe fjala jonë dhe shqetësimi i qytetarëve tanë do të shkojë në vend dhe shpresoj që organet e tjera, të cilat e mbikëqyrin këtë çështje dhe janë mbikëqyrëse mbi ligjin, ta shqyrtojnë dhe të marrin masa për ministren dhe për vendimin e saj. Ne si qytetarë të asaj zone, me çdo kusht, 100 herë kemi kundërshtuar edhe ligjin e Parkut, edhe vendimet rreth tij, edhe Planin Hapësinor, i cili na ka cunguar dhe na ka përgjysmuar hapësirat tona lëvizëse dhe monitoruese në trevën e Rugovës. Prandaj, jemi banorë vendas, aty kemi pasurinë tonë dhe jetën tonë, dhe aty ku kemi ble, aty do ta vazhdojmë jetën, do të jetojmë dhe s’ka kush që na ndal. Por sot kemi ardhë ta demonstrojmë në mënyrë të hapur kundërshtimin ndaj vendimit të saj dhe e lusim që ta përmirësojë sa më shpejt”, tha ai.
“Nuk ka nevojë me na bë diskriminim në pronën tonë aty ku lejohet ndërtimi edhe brenda Parkut, edhe brenda Planit Hapësinor, por me e ndalë me inspektorate e forma të tjera, të cilat do ta dëmtojnë trevën e Parkut. Mirëpo ne nuk pranojmë vendime të tilla, të cilat janë diskriminuese për njerëzit që kanë jetuar para Parkut, njerëzit që kanë ndërtuar shtëpi para Parkut e njerëzit që na i kanë ndërtuar shtëpitë. Bashkësia Evropiane dhe organizatat e tjera qeveritare, të cilat kanë vepruar atë kohë aty, na kanë ndërtuar shtëpi për me na kthyer jetën, na i kanë ndërtuar shkollat, ambulancat, të gjitha kanë nevojë për renovim, për rishikim dhe për t’u kthyer jeta e banorëve. Atje ka nevojë turizmi me u zhvillu në atë pjesë, ku secilën ditë duhet standard e mbi standard për të mbijetuar banorët e kësaj treve”, ka shtuar ai.
“Duke marrë parasysh, përpos diskriminimeve të tjera që na i bëjnë edhe ministritë tjera, jo veç Ministria e Ambientit, siç është ajo e Infrastrukturës, që nuk i bie ndërmend kurrë me na bë një rrugë qysh duhet, nuk i bie ndërmend me na bë një ujësjellës qysh duhet, nuk i bie ndërmend me na bë një kanalizim qysh duhet. Por gjithmonë institucionet tona po na presin me ndalesa, e jo me një alternativë zhvillimore për trevën tonë”, tha ai.
Një nga organizatorët e protestës, Flamur Rexhbogaj, deklaroi se banorët po përballen me vendime që, sipas tij, po i trajtojnë si të huaj në tokat e tyre dhe po pengojnë zhvillimin e Rugovës.
“Sot nuk po përballemi thjesht me një letër zyrtare të nënshkruar në zyrat e ngrohta sipër nesh, por po përballemi me një thikë pas shpine që i bëhet secilit prej nesh, secilit malësor që me shekuj i mbajti gjallë këto bjeshkë me gjak, me djersë dhe me rreziqe jetike. Ai vendim që keni përpara, ai urdhër skandaloz për ngritje postblloqesh kontrolli, për sekuestrim mjetesh, për ndjekje penale dhe për trajtimin e banorëve autoktonë si kriminelë në tokën e tyre, është një akt izolimi, një dëbim i heshtur modern dhe një fyerje e rëndë për dinjitetin tonë. Forca e vendimeve nuk na ka trembur asnjëherë, as sot nuk na tremb. Sepse ne e dimë pse flasim, pse protestojmë dhe pse luftojmë. Mbrojmë varrezat e të parëve tanë, mbrojmë tokat tona, mbrojmë rritjen e qetë të brezave që do të vijnë pas nesh”, ka shtuar Rexhbogaj.
“Por sot nuk kërkohet të vdesim në fushëbetejë — sot kërkohet të mbrojmë të drejtën për të jetuar të lirë në tokën tonë. Të mbrojmë Rugovën nga vendimet që i vendosin pranga zhvillimit dhe që lëndojnë shpirtin e kësaj treve. Ministria, përmes një arrogance të pashembullt burokratike, ka vendosur ta trajtojë popullin e vet si pushtues në pronat e veta stërgjyshore, duke harruar se këto male nuk u bënë të bukura nga dekretet e tyre akademike apo nga letrat që firmosin mbi kolltuqe lëkure, por u mbrojtën dhe u mbajtën gjallë nga gjiri i këtij populli që nuk u largua asnjëherë”, tha ai.


