Bashkëpunimi me Gjykatën Speciale, Donika Gërvalla mohon akuzat

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mohuar akuzat për bashkëpunim me Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë kontakt me Specialen, UNMIK-un apo EULEX-in, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi.

Në një konferencë për media të shtunën, Gërvalla ka thënë se pretendimet për lidhjen e saj me Specialen janë të pavërteta.

“Deklaratat që më lidhin me bashkëpunimin janë bërë bozë. Nuk ka në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikëtakim timin, as direkt, as indirekt”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka kërkuar që të pritet publikimi i aktgjykimit të plotë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se vetëm atëherë do të mund të vlerësohen më qartë faktet dhe zhvillimet.

Gërvalla ka mohuar gjithashtu se ka heshtur pas aktgjykimit dënues, duke theksuar se si ministre e Drejtësisë është angazhuar në përgatitjet ligjore për hapat e mëtejmë.

“S’kam heshtur, unë jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri e ka bërë një reagim në emër të Qeverisë, ndërsa unë si ministre i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse Specialja është betejë ligjore, jo deklaratash në media”, ka thënë ajo.

Ministrja ka theksuar se Kosova duhet të përgatitet me “kokë të ftohtë” për instancën e ardhshme, duke shtuar se çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara kërkojnë ekspertizë të lartë.

E pyetur për kërkesat për dorëheqjen e saj gjatë protestave, Gërvalla ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë ato.

“Është e drejtë e secilit qytetar të kërkojë dorëheqjen e një ministri. Nuk i komentoj kërkesat për dorëheqje. Nuk ia ndaloj fjalën askujt”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla është pyetur edhe për projektligjin e propozuar nga PDK-ja për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Ajo ka bërë të ditur se ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë janë duke e analizuar këtë projektligj.

Sipas saj, pas përfundimit të analizës, Ministria do t’ia përcjellë Qeverisë opinionin përkatës, duke shtuar se kjo procedurë nuk do të vonojë.