Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzoi qeverinë për humbjen e 60.77 milionë eurove grant nga Bashkimi Evropian, mjete të pakthyeshme të destinuara për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë. Në një konferencë për media, Bekim Rexhepi tha se bëhet fjalë për një dështim serioz që, sipas tij, i ka kushtuar vendit një mundësi historike për zhvillim ekonomik dhe avancim të infrastrukturës.
Rexhepi deklaroi se humbja e grantit nuk është një akuzë politike, por fakt i dokumentuar në aktet zyrtare të dorëzuara nga vetë Qeveria në Kuvend. Sipas tij, fondet IPA nuk janë më të disponueshme pasi tenderi i shpallur në vitin 2024 është anuluar dhe kontrata për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës nuk është lidhur brenda afatit të paraparë.
Ai rikujtoi se në fund të vitit 2023, kur BDI ishte pjesë e qeverisë, ishte siguruar një paketë financiare prej rreth 560 milionë eurosh për realizimin e projektit. Paketa, sipas tij, përfshinte 175 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, 175 milionë euro kredi nga BERZH, 149 milionë euro grant nga WBIF dhe 60.77 milionë euro grant IPA nga Bashkimi Evropian.
Sipas Rexhepit, ky financim ishte rezultat i besimit të partnerëve evropianë dhe i angazhimit për ta vendosur Korridorin 8 në mesin e prioriteteve strategjike të shtetit. Ai shtoi se BDI kishte paralajmëruar më herët se qeveria aktuale nuk e kishte këtë projekt prioritet dhe se zvarritja e procedurave do të sillte pasoja konkrete.
Në konferencë u theksua se Korridori 8 është një projekt me rëndësi panevropiane, pjesë e rrjetit strategjik të transportit të Bashkimit Evropian dhe me vlerë të veçantë edhe për NATO-n, pasi lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe konsiderohet faktor i rëndësishëm për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
BDI vlerësoi se zvarritja e projektit dhe humbja e fondeve evropiane krijojnë dyshime serioze për qasjen e qeverisë ndaj projekteve strategjike euroatlantike, duke lënë të kuptohet se ato nuk po trajtohen si prioritete.
Në fund, Bekim Rexhepi kërkoi përgjigje nga qeveria se kush mban përgjegjësi për humbjen e 60.77 milionë eurove, pse nuk u respektuan afatet për realizimin e projektit dhe nëse tani qytetarët do të detyrohen ta mbulojnë nga buxheti i shtetit atë që Bashkimi Evropian kishte planifikuar ta financonte si grant.
Ai theksoi se BDI do të vazhdojë të mbështesë realizimin e Korridorit 8 dhe orientimin euroatlantik të vendit, duke e cilësuar projektin si interes strategjik të shtetit dhe jo si çështje partiake. (koha.mk)



