BDI: Rrjeti korruptiv me kompaninë e afërt me Milorad Dodik është më i thellë. Zbulohen dy kontrata të reja të nënshkruara nga Burim Latifi

Bashkimi Demokratik për Integrim bënë të ditur se Burim Latifi dhe ndërmarrja shtetërore MEPSO nuk është ndalur me vetëm një kontratë, por ka thelluar bashkëpunimin e saj me kompaninë “Elnos BL” nga Republika Srpska e afërt me Millorad Dodikun.

Burim Latifi dhe MEPSO, në të njëjtën ditë kanë lidhur jo një, por dy kontrata me këtë kompani, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën dhe transparencën e këtij bashkëpunimi.

BDI kërkon nga Latifi që të publikojë në mënyrë të hapur dhe transparente vendimin fillestar të organit kompetent, përmes të cilit ndërmarrja ka humbur një kontest shumëmilionësh në dëm të shtetit.

Në komunikimet e deritanishme të MEPSO-s dhe subjektit VLEN, nuk është mohuar asnjëherë lidhja që kompanitë pjesë e konsorciumit “Elnos BL” dhe “Kodar Elektromontaža” kanë me figura si Milorad Dodik dhe Aleksandar Vučić.

Si mbrojtje, ata theksojnë se tenderi i ri është fituar nga një konsorcium i udhëhequr nga kompania kroate “Dalekovod”, e njohur për përvojën e saj ndërkombëtare dhe operimin sipas standardeve më të rrepta evropiane.

Megjithatë, në arsyetimet e tyre mbetet e paqartë pse nuk ka asnjë reflektim për rolin e dy kompanive të tjera në këtë konsorcium apo nëse heshtja është e qëllimshme për të shmangur të vërtetën.

Është dita e pestë dhe Burim Latifi hesht dhe nuk është pronocuar se pse kontratat e tij me kompaninë nga Republika Srpska çuan në një dëm prej 6 milion euro. Prokuroria përkatëse e vendit duhet ta hetojë çdo detaj. Bëhet fjalë për shuma milionëshe që bien në kurriz të qytetarëve.

By admin3