BDI Tetovë: “Pushteti lokal po amniston veten me gënjeshtra për shitjen e pronës publike”

Dega e BDI-së në Tetovë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të nënkryetarit të Komunës së Tetovës, Albi Qamili, duke e akuzuar atë për, siç thonë ata, “gënjeshtra publike dhe tentativë për të amnistuar udhëheqësinë aktuale nga përgjegjësia për shitjen e pronës publike” informon Tetovasot.
Në reagimin e tyre, BDI thekson se gjatë periudhës sa ka udhëhequr me Komunën e Tetovës nuk është shitur asnjë pronë publike, ndërsa rastet që përmenden nga pushteti aktual, sipas tyre, kanë të bëjnë me transaksione mes operatorëve ekonomikë dhe investitorëve privatë.
“Komuna dhe BDI-ja nuk kanë mundur të shesin pronë që nuk ka qenë në pronësi të Komunës. Në të gjitha rastet bëhet fjalë për shitje mes subjekteve private, ku Komuna vetëm ka arkëtuar tatimin ligjor prej 3 për qind nga vlera e shitblerjes”, thuhet në reagim.
BDI përdor edhe një shembull ilustrues për të shpjeguar dallimin mes shitjes së pronës private dhe, siç pretendojnë ata, “skemave të organizuara për shitjen e pronës publike” nga pushteti aktual.
Sipas tyre, pushteti lokal në Tetovë po nxjerr në shitje pronën e qytetarëve me çmime simbolike, duke dëmtuar buxhetin komunal dhe interesin publik.
Në fund të reagimit, BDI Tetovë i bën thirrje Albi Qamilit “të mos bëhet pre e propagandës politike”, duke përmendur edhe emra konkretë që, sipas tyre, qëndrojnë pas këtyre proceseve.
Reagimi vjen në një kohë kur debati për pronat publike dhe urbanizmin në Tetovë është rikthyer fuqishëm në skenën politike lokale.TS

REAGIM: GËNJESHTRAT E VËRTETA TË NËNKRYETARIT TË RREMË

Reklame

Edhe pse besojmë se gënjeshtrat nuk meritojnë përgjigje, për të qenë korrektë përpara opinionit dhe qytetarëve të Tetovës, po japim sqarimin dhe reagimin si vijon:

Albi Qamili, nënkryetari ilegal i Komunës së Tetovës, mbrëmë në një dalje televizive, duke dashur të amnistojë veten dhe udhëheqësinë aktuale nga përgjegjësia për vjedhjen masive që po i bëhet pronës publike në Tetovë nga Bilall Kasami, gënjeu opinionin dhe qytetarët e Tetovës.

E vërteta është krejt ndryshe.

BDI, gjatë kohës kur ka udhëhequr Komunën e Tetovës, nuk ka shitur asnjë pronë publike.

Pra, në të gjitha rastet që i përmend nënkryetari ilegal, bëhet fjalë për shitje të pronës së një operatori ekonomik te një operator tjetër apo investitor. Që do të thotë se logjika është e thjeshtë: as BDI-ja, as Komuna në atë kohë, nuk kanë mundur të shesin pronë që nuk ka qenë në pronësi të Komunës.

Për ta kuptuar më mirë Albi dhe udhëheqësia aktuale të vërtetën që u dhemb, si dhe për ta kuptuar qytetarët se me çfarë gënjeshtrash po shërbehet pushteti lokal për t’u amnistuar nga vjedhja e pronës publike që po e bën në Tetovë, po japim një ilustrim të thjeshtë:

Bilall Filani ia shet banesën e tij Adnan Fistekut, dhe për këtë shitje apo blerje palët merren vesh mes vete për çmimin dhe kushtet e tjera në një kontratë shitblerjeje. Pas shitblerjes, banesa e Bilall Filanit bëhet pronë e Adnan Fistekut, kurse Komuna, në bazë të ligjit, arkëton 3% tatim nga vlera e shitblerjes.

Pra, në këtë rast bëhet fjalë për shitje të pronës së një operatori ekonomik te një operator tjetër apo investitor. Që do të thotë se as BDI-ja, as Komuna në atë kohë, nuk kanë mundur të shesin pronë që nuk ka qenë në pronësi të Komunës.

Kurse ajo që po e bën pushteti lokal në Tetovë tash e disa vite, dhe që tenton ta bëjë edhe tani, është si vijon:

Bilall Filani nxjerr në shitje pronën e qytetarëve të Tetovës dhe, përmes skemave të organizuara kriminale, e bën të mundur që Adnan Fisteku ta blejë pronën e tetovarëve për vetëm 1 euro, edhe pse ajo kushton me qindra herë më shumë. Si pasojë, Komuna arkëton vetëm 1 euro, kurse pjesa tjetër e parave shkon si peshqesh nga Adnani te Bilalli, ndërsa arka e Komunës mbetet bosh dhe qytetarët mbeten të vjedhur.

Albi Qamili është djalë i ri dhe mbase me perspektivë në politikë.

Me dashamirësi i sugjerojmë të mos bëhet pre e propagandës së porositur nga kumbari i shitjes së pronës publike në Tetovë, Adnan Aziui, si dhe nga ekzekutori i këtij krimi, Bilall Kasami.

By admin2