Komisioni Evropian i ka shqiptuar platformës kineze të tregtisë elektronike AliExpress një gjobë rekord prej 550 milionë eurosh, duke e akuzuar se nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për të parandaluar shitjen e produkteve të paligjshme dhe të rrezikshme në tregun e Bashkimit Evropian.
Sipas Komisionit Evropian, në platformë kanë qarkulluar për javë të tëra veshje të falsifikuara, lodra të pasigurta për fëmijë dhe produkte kozmetike potencialisht të rrezikshme, pa u larguar në kohë.
AliExpress, që është pjesë e grupit kinez Alibaba, akuzohet se nuk ka mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme konsumatorët evropianë. Sipas autoriteteve të BE-së, shumë shitës që duhej të ndëshkoheshin për tregtimin e produkteve të paligjshme kanë arritur të vazhdojnë aktivitetin e tyre në platformë.
Komisioni Evropian thekson gjithashtu se kompania nuk ka angazhuar staf të mjaftueshëm për kontrollin e produkteve të dyshimta, duke bërë që ekipet përgjegjëse të jenë të mbingarkuara. Për më tepër, disa produkte të paligjshme madje janë rekomanduar ose promovuar nga platforma përpara se të hiqeshin.
Testimet e kryera nga autoritetet evropiane kanë treguar se, pavarësisht mekanizmave të mbikëqyrjes të deklaruar nga kompania, në AliExpress vazhdonin të shiteshin në numër të madh bluza dhe këpucë të falsifikuara, si edhe lodra të pasigurta për fëmijë.
Ky vendim konsiderohet një nga masat më të ashpra të Bashkimit Evropian ndaj një platforme të madhe të tregtisë elektronike dhe dërgon një sinjal të qartë se kompanitë që operojnë në tregun evropian duhet të garantojnë sigurinë e konsumatorëve dhe respektimin e ligjit.



