BE ulet në tryezë me talebanët, një regjim që nuk e njeh zyrtarisht (Reagimet janë të forta)

Për herë të parë që nga sulmet e 11 shtatorit 2001, Komisioni Europian ka pritur në Bruksel një delegacion të talebanëve për të diskutuar kthimin e emigrantëve afganë që ndodhen ilegalisht në vendet e Bashkimit Europian.

Takimi u zhvillua në nivel teknik dhe, sipas Komisionit Europian, nuk përbën njohje zyrtare të regjimit taleban.

Bisedimet u fokusuan te procedurat për riatdhesimin e personave që kanë kryer krime të rënda ose konsiderohen kërcënim për sigurinë, përfshirë identifikimin e tyre, pajisjen me dokumente udhëtimi dhe organizimin e kthimit në Afganistan.

Në takim morën pjesë përfaqësues të 15 vendeve anëtare të BE-së, ndërsa delegacioni afgan përbëhej nga pesë zyrtarë talebanë. Talebanët e cilësuan vizitën historike, duke theksuar se ishte hera e parë që një delegacion i tyre zhvillonte bisedime zyrtare me shtetet anëtare të BE-së në Bruksel.

Megjithatë, takimi ka shkaktuar reagime dhe kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut. Sipas tyre, dialogu me talebanët rrezikon t’i japë legjitimitet një regjimi që akuzohet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, veçanërisht ndaj grave dhe vajzave.

Talebanët vazhdojnë të jenë nën sanksione ndërkombëtare dhe regjimi i tyre nuk njihet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian që prej rikthimit në pushtet në vitin 2021. Ndërkohë, ata kërkojnë rikthimin e përfaqësive diplomatike dhe konsullore në vendet e BE-së si pjesë e bashkëpunimit për kthimin e emigrantëve afganë.

Kjo lëvizje tregon përpjekjet e Bashkimit Europian për të forcuar politikat e migracionit, por njëkohësisht ka hapur debat mbi balancën mes sigurisë, menaxhimit të emigracionit dhe respektimit të parimeve të të drejtave të njeriut.

By admin5