Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka komentuar konferencën e mbajtur nga kryeministri Albin Kurti në Presidencën e Kosovës, së bashku me kandidaten për presidente, Feride Rushiti. Ai kritikoi përdorimin e hapësirave të Presidencës për konferencë, duke thënë se ato janë të dedikuara vetëm për presidentin e vendit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Behrami akuzoi Kurtin për sjellje autoritare dhe për tentim të tejkalimit të kompetencave institucionale.
“Po zoti Kurti për gjashtë orë Parlamentin e Republikës së Kosovës e shndërroi në një kuvend popullor si në Korenë e Veriut dhe në Kinë pa opozitë, pa kritikë, pa rregulla, pa ligje. Ligjin e rregullat i mori vetë në dorë, me dominim total, me nënshtrim total të grupit parlamentar, me duartrokitje të përshpejtuara që ma kujtonin periudhën e Enver Hoxhës kur filloi me rrebesh shuplakash edhe ai për fjalimin e tij. Atë e pashë që ai është në një botë paralele, në shtetin e ëndrrave të tij ku ai është lider suprem. Dhe me këtë adrenalinë të kuvendit, shkoi për pak çaste u shndërrua edhe në president. Dhe shyqyr që përfundoi nata se ai do të shkonte në Gjykatë Kushtetuese duke menduar që është edhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Kështu që mendoj që ka qenë një simulim i ëndrrës së tij jetësore për me u bë lider suprem”, tha Behrami.
Ai tha se është parandaluar një krizë e madhe institucionale dhe politike në vend.
“Por shyqyr që nata përfundoi dhe kur dielli lindi përsëri, unë mendoj që Republika e Kosovës fitoi — fitoi përballë një tentimi të një njeriu i cili ka synuar përmbysjen e rendit kushtetues. Falë edhe Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Lidhjes Demokratike, edhe AAK-së, falë organizimit dhe mobilizimit që e bëmë që në rast se ai vazhdon me skenarin e tij për të bërë një presidente në mënyrë kundërkushtetuese, reagimi qytetar do të ishte i pashmangshëm. Dhe unë mendoj që ky presion e ka ndaluar. Besoj që edhe bashkësia ndërkombëtare, disa shtete të Bashkimit Evropian, kanë ndihmuar që ai të ndalë këtë çmenduri dhe këtë tentim puçi, i cili pashmangshmërisht do të mund ta dërgonte Kosovën edhe në luftë civile. Pra, është evituar një rrezik shumë i madh për Kosovën, për qytetarët e Kosovës, dhe sot Kosova është në një gjendje më të mirë”, thekson ai.
Duke folur për konferencën e mbajtur në ambientet e Presidencës, Behrami tha se Kurti ka shkelur rregullat institucionale.
“Po patjetër. Unë vetë kam punuar në Zyrën e Presidentit dhe ajo zyrë, ai korridor, ajo skenë, është e dedikuar vetëm për Presidentin e Republikës së Kosovës, të cilën ndoshta mund ta shfrytëzojnë vetëm ish-presidentët. Por as kryeministri, as ministri, as deputetë nuk kanë çfarë lypin në atë skenë sepse ajo është e dedikuar është njësoj si me hy në zyrë të presidentit dhe me e uzurpu zyrën e presidentit. Pra është institucion i cili nuk i takon atij sepse kompetencat në Republikën e Kosovës janë përfundimisht të ndara. Prandaj tendenca për të shkuar aty, thash edhe një herë, është një tendencë të cilën edhe vetë e tha, sepse tha ‘kandidatja jonë formalisht është presidente se i ka marrë votat’. Pra ai mundohet që të krijojë një dimension paralel i cili nuk ekziston në memorien kolektive të qytetarit të Republikës së Kosovës dhe nuk ekziston as në kulturën tonë politike”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas përfundimit të afatit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit ka mbajtur konferencë për media bashkë me kandidaten për presidente, Feride Rushiti në hapësirën e caktuar për presidentin e Kosovës.

