Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur shqetësimin e tij për të ardhmen e Zvërnecit, duke paralajmëruar se kjo zonë me vlera të veçanta natyrore mund të përfundojë si Ksamili nëse zhvillimet urbanistike nuk kontrollohen.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se mbështet investimet e huaja në Sazan dhe Zvërnec, por theksoi se ekziston rreziku që interesat mafioze të dëmtojnë rëndë peizazhin dhe karakterin unik të zonës.
“A nuk është një barbari ajo që ka ndodhur në Ksamil? Çfarë i druhem unë Zvërnecit? Druhem jashtë mase se mafia shqiptare do ta shndërrojë në një Ksamil të dytë. Nga një bizhu e vërtetë botërore mund të shndërrohet në një Ksamil të dytë”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se, nëse Partia Demokratike do të ishte në qeveri, zhvillimi i Zvërnecit do të bëhej në përputhje me peizazhin natyror dhe trashëgiminë e zonës.
Sipas Berishës, një nga projektet që nuk do të mbështetej nga një qeveri e drejtuar prej tij do të ishte ndërtimi i një aeroporti në Zvërnec.
“Ne do ta zhvillonim në përputhje me peizazhin. Por aeroportin aty nuk e ndërtonim kurrë, kurrë”, deklaroi kreu i PD-së.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur projektet e investimeve strategjike në bregdetin shqiptar po ngjallin debate të shumta mbi ndikimin e tyre në mjedis dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave turistike.


