Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e transportit dhe telekomunikimit për muajin maj 2026, të cilat tregojnë rënie në transportin ajror, ndërsa shënohet rritje e përdoruesve të telefonisë fikse dhe mobile.
Sipas ASK-së, gjatë muajit maj janë realizuar 1.099 fluturime, ose 6 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Po ashtu, numri i përgjithshëm i udhëtarëve ka arritur në 366.360, që paraqet një rënie prej 4 për qind në baza vjetore. Numri i udhëtarëve në ardhje ka rënë me 0,4 për qind, ndërsa ai i udhëtarëve në nisje me 7,3 për qind.
Në transportin hekurudhor, ASK-ja njofton se në maj 2026 janë regjistruar 8.628 udhëtarë, ose 1,6 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe janë transportuar edhe 182 tonë mallra përmes hekurudhës.
Sa i përket telefonisë fikse, numri i përdoruesve ka arritur në 70.816, duke shënuar një rritje prej 3,4 për qind krahasuar me majin e vitit 2025. Në anën tjetër, trafiku i realizuar në këtë rrjet ka rënë me 4,1 për qind, në 1.789.637 minuta.
Në sektorin e telefonisë mobile, ASK-ja bën të ditur se numri i përdoruesve me parapagim (Prepaid) ka arritur në 1.516.860, ose 2,72 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, numri i përdoruesve me kontratë (Postpaid) është rritur në 318.946, duke shënuar një rritje prej 1,65 për qind në baza vjetore.



