Profesori universitar dhe analisti politik Blerim Latifi në një shkrim të publikuar së fundmi, autori sjell në vëmendje disa prej figurave të njohura të këngëve epike shqiptare, duke vënë në pah një element që përsëritet në shumë prej tyre: heroi përballet me armikun, por në fund tradhtohet nga dikush i afërt,transmeton Faktiditor.info
Mes rasteve të përmendura është Selman Kadria, i cili sipas rrëfimit folklorik vrau arkanin e kohës së krajlit, Miliç Krstiçin, por më pas u nxor në pritë dhe u vra për llogari të serbëve nga daja i tij.
Përmendet edhe Dan Deroci, i cili luftonte kundër poreznikëve të kohës së krajlit dhe, sipas rrëfimit, u tradhtua e u vra në shtëpinë e dajës së tij.
Në këtë listë përfshihen edhe Kamer Loshi, i cili thuhet se u spiunua nga një plakë shqiptare dhe u rrethua nga xhandarët serbë, si dhe Nak Berisha, që sipas këngëve u rrethua dhe u vra nga bashkëfshatarët e tij.
Autori sjell ndërmend edhe historitë e Dervish Koprivës, Lec Gradicës dhe Bec Sinanit, të cilët, sipas rrëfimeve popullore, patën fate të ngjashme: besuan njerëz të afërt dhe përfunduan të vrarë si pasojë e tradhtisë.
“Për çdo hero, të krijojë edhe një tradhtar”, është ideja që përshkon këtë reflektim.
Shkrimi ngre kështu një pyetje më të thellë mbi marrëdhënien e shqiptarëve me konceptin e besës.
“Mbase ky popull e ka ngritur kultin e besës pikërisht nga dhimbja dhe trauma e pabesive e tradhtive brenda tij”, thuhet në përfundim të reflektimit.
Historitë e komitëve dhe figurave të folklorit, pavarësisht se ndërthurin elemente historike me rrëfime të transmetuara ndër breza, vazhdojnë të mbeten pjesë e kujtesës kolektive dhe e këngëve epike shqiptare./Faktiditor.info/



