Bombardimet ruse të mbrëmjes së të enjtes në Kramatorsk, në lindje të Ukrainës, shkaktuan të paktën një viktimë dhe lanë 15 persona të plagosur, sipas autoriteteve ushtarake rajonale ukrainase.
Vadim Filashkin, drejtuesi i administratës ushtarake të rajonit, deklaroi se Kramatorsku dhe fshati Bilenke u vunë gjithsej tetë herë në shënjestër të forcave ruse.
Në Kramatorsk, një qytet i rajonit të Donetskut që ndodhet pranë vijës së frontit, janë dëmtuar disa objekte, mes tyre edhe një pallat banimi. Filashkin u kërkoi banorëve të zhvendosen në pjesë më të sigurta të Ukrainës.
Një sulm tjetër rus u regjistrua ndërkohë në Zaporizhia, në juglindje të vendit, duke plagosur dy persona.
Kreu i administratës ushtarake rajonale, Ivan Fedorov, bëri të ditur se goditja ndodhi në një rrugë pranë një automjeti, i cili u dëmtua.
Të plagosurit janë një grua 25-vjeçare dhe një fëmijë 5-vjeçar. Që të dy u dërguan për të marrë trajtim mjekësor.
Këto ngjarje ndodhin në një kohë kur Rusia po vijon bombardimet në zona të ndryshme të Ukrainës, kryesisht në rajonet që shtrihen pranë vijës së frontit.



