Breshëri shkatërron 90% të të korrave në Zvicër, fermeri: “Humbje totale”

Cyrih – Një stuhi e fuqishme me breshër të madh ka shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi në kantonin e Cyrihut, duke shkatërruar pjesën më të madhe të të korrave të fermerit organik Samuel Müller.

Sipas fermerit, rreth 30 hektarë tokë, ose afërsisht 90 për qind e të korrave, janë dëmtuar rëndë nga breshëri. Në fusha janë shkatërruar kultura të ndryshme, përfshirë domate, lakra, karota dhe kunguj.

Müller e ka përshkruar situatën si një “humbje totale”, ndërsa dëmin financiar e vlerëson në rreth 1.5 milionë franga zvicerane. Sipas tij, kjo shumë nuk përfshin të gjitha dëmet e shkaktuara nga stuhia, përfshirë dëmtimin e serrave dhe strukturave plastike.

Breshëri, sipas fermerit, kishte madhësinë e topave të golfit dhe brenda pak minutash shkatërroi të korrat që ishin pranë sezonit të vjeljes.

“Brutale” – kështu e përshkruan Müller gjendjen e fushave të tij. Në një prej parcelave, lakra savojë do të duhej të korrej pas vetëm disa javësh, ndërsa tani pothuajse nuk ka mbetur asgjë për të shpëtuar.

“As babai, as gjyshi im nuk kanë parë diçka të tillë”

Müller tregoi se stuhia nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit të së premtes, ndërsa ai ndodhej në serën ku kishte mbjellë domate.

“Xhamat filluan të thyheshin kudo dhe copat e xhamit binin nga lart”, ka rrëfyer ai.

Për t’u mbrojtur, fermeri u detyrua të fshihej nën një tavolinë, nga frika se copat e xhamit mund ta lëndonin.

Edhe pse stuhitë dhe breshëri nuk janë dukuri të panjohura në këtë zonë, Müller thotë se diçka e tillë nuk ishte parë më parë në familjen e tij.

“As unë, as babai im dhe as gjyshi im nuk kemi përjetuar ndonjëherë një breshër kaq të dhunshëm dhe dëme të tilla në vetëm pak minuta”, ka thënë ai.

Për fermerin, goditja vjen në një moment veçanërisht të vështirë, pasi fundi i gushtit ishte periudha kur puna e muajve të fundit pritej të sillte të ardhurat kryesore nga të korrat.

Video: Era e fortë rrëzon lisin mbi një veturë në rrethinë të Kumanovës, shoferi pëson lëndime të lehta

By admin