Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka komentuar caktimin e datës së seances konstituive.
Ai ka bërë me dije se caktim i kësaj date më 6 gusht është veprim i vonuar.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se caktimi i kësaj date lidhet me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
“Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se, në rrethanat kur Kuvendi ende nuk është konstituuar, ky afat fillon nga konstituimi i tij. Kjo do të thotë se 6 gushti e aktivizon afatin, 7 gushti llogaritet si dita e parë, ndërsa 5 tetori është dita e 60-të dhe, rrjedhimisht, dita e fundit për zgjedhjen e presidentit. Në anën tjetër, më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së presidentit. Nëse procedura e zgjedhjes së presidentit shkon deri në ditën e 60-të, pra më 5 tetor, dhe eventualisht dështon, atëherë Kuvendi do të shpërndahet pasi që periudha e ushtrimit të detyrës së presidentit tashmë të ketë përfunduar. Kjo do të thotë se mund të mbetemi njëkohësisht pa Kuvend dhe pa ushtrues detyre të presidentit, që është i vetmi funksion me mandat kushtetues për ta formalizuar shpërndarjen e Kuvendit, për ta caktuar datën e zgjedhjeve të reja dhe, pas tyre, për ta propozuar mandatarin për kryeministër. Aq më keq që, koha që u tha se po lihet në dispozicion për negociata rreth zgjedhjes së presidentit po kalon jo vetëm pa marrëveshje politike, por edhe pa asnjë raund të ri takimesh ndërpartiake”, ka deklaruar Cakolli.



