Cakolli: LDK-ja është nën presion më të madh se LVV-ja për arritjen e marrëveshjes

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se pritjet për arritjen e një marrëveshjeje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) vetëm dy ditë para seancës konstituive kanë qenë jorealiste.

Cakolli përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se edhe pas zgjedhjeve të vitit 2019, kur të dyja partitë kishin më shumë nevojë për njëra-tjetrën dhe koalicioni i tyre konsiderohej gjerësisht si “koalicioni i shpresës”, marrëveshja nuk ishte arritur para seancës konstituive.

Cakolli thekson se situata aktuale është ndryshe, pasi LVV-ja ka pothuajse trefishin e votave dhe mandateve të LDK-së, gjë që, sipas tij, i jep asaj më shumë hapësirë për të pritur.

“Kurti dhe LVV-ja e kanë luksin të presin, madje edhe të mos arrijnë fare marrëveshje, pa u penalizuar ndjeshëm elektoralisht. LDK-ja dhe sidomos Lumir Abdixhiku nuk e kanë të njëjtin luks, pasi për ta kjo nuk është vetëm çështje e formimit të institucioneve, por edhe e fatit politik”, ka shkruar Cakolli.

Ai përfundon se, në negociata, pala që ka më shumë nevojë për marrëveshje zakonisht ka më pak fuqi negociuese, ndërsa pala tjetër ka më pak arsye për të nxituar.

By admin7