Eugen Cakolli nga IKD deklaron se “sipas trendeve aktuale dhe me numërimin edhe të disa mijëra votave shtesë, Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë në 53 mandate”.
Tutje, ai thotë se “ajo që mbetet ende e diskutueshme është se kujt do t’i merret ky mandat”.
“Gjasat janë që, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të”, shprehet Cakolli.
Sipas tij, gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë.
Sipas Cakollit, “AAK pritet përfundimisht të mbetet në 7 ulëse”.
Postimi i tij i plotë:
Kur kanë mbetur për t’u numëruar edhe disa dhjetëra kuti të votave me postë, tashmë është pothuajse e sigurt që shpërndarja e mandateve mes partive do të ndryshojë.
Sipas trendeve aktuale dhe me numërimin e edhe disa mijëra votave shtesë, Lëvizja Vetëvendosje do të kalojë në 53 mandate. Me shumë gjasë ky do të jetë edhe numri përfundimtar i ulëseve për këtë subjekt politik.
Ajo që mbetet ende e diskutueshme është se kujt do t’i merret ky mandat.
Gjasat janë që, në momentin e parë kur numri i mandateve të ndryshojë, LDK-ja të jetë partia që fillimisht e humb mandatin e 19-të. Megjithatë, deri në përfundim të numërimit të të gjitha votave me postë, bazuar në trendin e përgjithshëm dhe përqindjet sipas komunave, pak më shumë gjasa ka që në fund PDK-ja ta humbë mandatin e 22-të.
Pra, gara mes PDK-së dhe LDK-së për mandatin e fundit mbetet tepër e ngushtë. Dallimi në koeficientë mes tyre mund të përkthehet praktikisht në më pak se 100 vota në fund të procesit.
Kjo nënkupton se mandati i fundit do të mund të përcaktohet edhe nga votat me kusht, të cilat zakonisht ndjekin më shumë trendin e votimit brenda Kosovës – dhe kjo potencialisht mund ta favorizojë fare lehtë PDK-në. Në anën tjetër, AAK pritet përfundimisht të mbetet në 7 ulëse.
Me dinamikën e shtuar të punës në QNR, numërimi i votave me postë do të përmbyllet më së largu nesër paraditë, derisa votat me kusht deri nesër në mesnatë. Pastaj, në varësi të përqindjes së vendvotimeve (deri në 10% maksimum) që do të rinumërohen me vendim të KQZ-së, i tërë procesi i numërimit do të duhej të përmbyllej në fund të kësaj jave.

