Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, përsëriti qëndrimin e partisë së saj se mbetet në opozitë edhe pas një mbledhje që u zhvillua sot në Kuvend në mes u.d. presidentes, Albulena Haxhiu me përfaqësues të partive politike, për përgatitjen e seancës konstituive.
“PDK ka pozicion të qartë politik, ne do të jemi në opozitë. Mirëpo, jemi të interesuar që sa më parë institucionet e Kosovës të konstituohen në mënyrë që të fillojmë të adresojmë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.
E pyetur për një front të përbashkët opozitar, Çitaku tha se opozita ka nevojë për bashkërendim, por “ne s’e dimë saktë se kush do të jetë në opozitë e kush në pozitë”.
“Por, PDK mbetet në opozitë”, shtoi ajo.
Çitaku më pas theksoi dallimet që kanë me Lëvizjen Vetëvendosje, duke mos e përjashtuar bashkëpunimin e mundshëm për zgjedhjen e Presidentit, megjithatë ajo tha se zgjedhja e tij i mundëson mandat katërvjeçar Albin Kurtit.
“Jemi vite larg me Lëvizjen Vetëvendosje dhe shohim fare pak hapësirë për bashkëpunim. Këtë qëndrim e kemi bërë të qartë mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk bashkëpunojmë kur janë në pyetje konstituimi i institucioneve dhe interesave të qytetarëve, por jo në qeverisje”.
“Çështja e Presidentit s’është një vend pune. Zgjedhja e Presidentit i mundëson Albin Kurtit qeverisje katërvjeçare. Për ne po aq sa është i rëndësishëm presidenti është raporti me SHBA’në, gazi amerikan, sektori privat, liria e mediave, mbrojtja e demokracisë, ka shumë çështje rreth të cilave ne kemi dallime të thella dhe zgjedhja e Presidentit i mundëson Albin Kurtit një qeverisje katërvjeçare”.
Çitaku në fund tha se është shumë e rëndësishme që Kuvendi të konstituohet, “të mos ketë zhagitje e të mos prodhohen kriza të reja institucionale e kushtetuese”. /Express/



