Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku, ka theksuar se marrëdhënia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ndërtuar mbi besim, sakrificë dhe vendime të rëndësishme historike.
Sipas saj, SHBA-ja ka vënë në lojë kredibilitetin e saj ndërkombëtar në momentet më vendimtare për Kosovën, duke përmendur ndërhyrjen e NATO-s, procesin e njohjeve dhe mbështetjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Çitaku kritikoi edhe refuzimin e projektit amerikan të gazit, duke e cilësuar atë si një investim në interes të qytetarëve të Kosovës.
“Kur SHBA udhëhoqën ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës, përtej miliardave të shpenzuara, vunë në tavolinë kredibilitetin e tyre ndërkombëtar. Kur udhëhoqën procesin e njohjeve të Kosovës, përtej angazhimit diplomatik, vunë në tavolinë kredibilitetin e tyre. Kur mbrojtën të drejtën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, përtej ekspertizës dhe kostos politike, sërish vunë në tavolinë kredibilitetin e tyre. Në çdo moment vendimtar të historisë sonë moderne, Shtetet e Bashkuara ishin në anën e Kosovës. E sot? Ne refuzojmë një projekt energjetik amerikan, një investim që në fund të ditës është në dobi të qytetarëve të Kosovës, të sigurisë sonë energjetike dhe të zhvillimit ekonomik të vendit”, shkroi Çitaku.
Ajo shtoi se çështja nuk lidhet vetëm me projektin e gazit, por me sinjalin që Kosova po u dërgon aleatëve të saj strategjikë.
“Është çështja e mënyrës se si sillemi me miqtë që, sa herë historia na vuri përballë sprovave, nuk na lanë vetëm. Kosova nuk bëhet më e fortë duke i kthyer shpinën Amerikës. Përkundrazi. Aleanca me Shtetet e Bashkuara nuk është barrë. Është garancia më e madhe strategjike që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës. Dhe si e tillë, duhet të ruhet, të forcohet dhe të konkretizohet me projekte që i shërbejnë interesit të qytetarëve tanë”.

