Çmimet e naftës shënuan rënie sot me naftën bruto Brent që ra më shumë se 9 për qind duke zbritur nën 100 dollarë për fuçi, ndërsa shpresat për një marrëveshje të mundshme SHBA-Iran zbutën shqetësimet për ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit.
Kontratat ndërkombëtare të naftës bruto Brent po tregtohen me rreth 99.8 dollarë për fuçi që nga ora 10:35 GMT, një rënie prej 9.2 për qind, pasi ranë afërsisht 4 për qind në sesionin e mëparshëm.
Ndërkohë, nafta bruto amerikane West Texas Intermediate (WTI) pësoi rënie prej më shumë se 10 për qind, duke zbritur në 91.3 dollarë për fuçi. Rënia pasoi raportet se Washingtoni dhe Teherani po i afrohen një marrëveshjeje paraprake për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të krijuar një kornizë për negociata më të gjera bërthamore.
Sipas raporteve, zyrtarët amerikanë besojnë se një marrëveshje fillestare mund të arrihet së shpejti ndërsa Washingtoni pret përgjigjen e Teheranit për disa çështje kyçe.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA-ja do të ndalojnë përkohësisht “Projektin Liria”, një operacion ushtarak të nisur për të shoqëruar anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit, duke përmendur përparimin në negociata.
Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të tranzitit të naftës në botë, ka qenë në qendër të shqetësimeve të tregut në javët e fundit, pasi përshkallëzimi ushtarak ndërpreu trafikun detar dhe rriti frikën e një tronditjeje të madhe të furnizimit.
Administrata amerikane tha se rreth 23 mijë detarë nga 87 vende mbeten të bllokuar në Gjirin Persik për shkak të ndërprerjes. Pavarësisht lehtësimit të tensioneve gjeopolitike, kostot më të larta të energjisë kanë filluar të ndikojnë në kërkesën globale, duke shtuar presion të mëtejshëm mbi çmimet e naftës./ AA.

