Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare ranë dje nën nivelin e 71 dollarëve për fuçi, mes sinjaleve për rritje të konkurrencës mes prodhuesve të Gjirit Persik dhe normalizimit gradual të transportit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në bursën e Londrës, një fuçi naftë u tregtua me 78 centë më pak se mbyllja e një dite më parë, duke arritur në 70,79 dollarë. Në tregun amerikan, çmimi ra me 90 centë, në 67,68 dollarë për fuçi.
Tregjet këtë javë janë ndikuar nga shenjat e rikthimit të normalitetit në kalimin e cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.
Kompania Saudi Aramco rifilloi javën e kaluar ngarkimin e naftës në terminalin Ras Tanura, ndërsa SHBA-ja dhe Irani kanë vendosur një kornizë për negociata që synojnë përfundimin e konfliktit.
Sipas mediave britanike, të paktën pesë supertankerë me rreth 10 milionë fuçi naftë janë nisur nga porti Ras Tanura dhe kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit drejt Gjirit të Omanit. Katër supertankerë të tjerë të klasës VLCC ndodhen pranë terminalit, ku tre presin të ngarkohen, ndërsa njëri është tashmë i mbushur me kapacitet të plotë.
Saudi Aramco po ndjek prodhuesit e tjerë rajonalë, të cilët tashmë kanë rifilluar dërgesat përmes Hormuzit dhe kanë ulur çmimet për muajt korrik dhe gusht, pasi vlerësohet se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit kanë shënuar përparim dhe se shumica e rafinerive kanë siguruar furnizime të mjaftueshme deri në muajin gusht.
Burime nga tregtia e naftës bëjnë të ditur se kompania saudite u ka sinjalizuar blerësve aziatikë fleksibilitet më të madh në çmime dhe përshtatje me kërkesën afatshkurtër, duke reflektuar konkurrencën gjithnjë e më të fortë mes furnizuesve.
Tregtarët presin që çmimi zyrtar i naftës saudite për muajin gusht të ulet ndjeshëm. Sipas një ankete të Reuters, ulja mund të jetë nga 6,50 deri në 8,80 dollarë për fuçi.



