Deputetë pa legjitimitet nga baza e vet!

Modeli zgjedhor proporcional në Maqedoninë e Veriut prodhon shpesh deputetë që nuk i voton as shtëpia e tyre.

Mjafton të shohësh si përpilohen listat: nga shefat e partive, rrethi i tyre i ngushtë dhe detyrimet për përfaqësim territorial dhe gjinor (30% e listave). Kur këta tre komponentë kombinohen, lista merr formën e një “thesi me patate”, ku ka edhe patate të shëndosha, por edhe të kalbura.

Këto lista garojnë nëpër njësi zgjedhore, ku interesi partiak dominon, ndërsa dobësitë e kandidatëve fshihen pas logos së partisë. Qytetarët ftohen të votojnë opsione, jo individë.

Pas zgjedhjeve, sidomos në rast fitoreje, mungon analiza serioze. Askush nuk kërkon llogari për kandidatët që kanë humbur bindshëm në vendlindjet e tyre. Nëse në fshatin e vet kanë marrë vetëm një grusht votash, është e qartë se në zonat e tjera as që janë vërejtur si kandidatë.

Kjo do të thotë se janë bërë deputetë me votat e të tjerëve. Ironia qëndron në faktin se të njëjtit më pas shfaqen arrogantë, bëjnë akrobacione politike dhe shpesh irritojnë pikërisht votuesit që i kanë sjellë në atë pozicion.

Në fund, pyetja mbetet e hapur: a përfaqësojnë këta deputetë qytetarët, apo vetëm vullnetin e kryetarëve të partive?

By admin7