Një atentat i rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, ku një i ri është qëlluar me armë zjarri para një lokali dhe ka mbetur i plagosur rëndë, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Burimet bëjnë të ditur se viktimë është Harbin Vitija (25-vjeçar).
Ngjarja ka ndodhur më 14 maj 2026 rreth orës 21:31 në rrugën “Ali Sokoli”, para lokalit “Joni”.
Sipas informatave, Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri dhe njësitë reaguese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sinjali mëson se kur Policia ka arritur në lokacion, Harbin Vitija tashmë ishte dërguar nga disa persona në QKUK për trajtim mjekësor.
Burimet bëjnë të ditur se ai është plagosur në kokë dhe është hospitalizuar në gjendje serioze.
Sipas hetimeve fillestare, sulmi dyshohet të jetë kryer nga persona të maskuar, të cilët menjëherë pas të shtënave janë larguar në drejtim të panjohur dhe aktualisht ndodhen në arrati.
Vetura me të cilën është transportuar viktima është ndaluar më vonë në rrugën “B”.
Në vendngjarje kanë dalë:
njësitë reaguese,
Hetimet Rajonale,
Krim-Teknika,
hetuesit e stacionit “Qendra”,
si dhe stafi komandues policor.
Me autorizim të Prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si: “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Hetimet janë në zhvillim për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


