Butrint Krasniqi, 29-vjeç, shtiu pesë herë me armë zjarri në drejtim të Suad Kelmendit, 46-vjeç, të hënën në mbrëmje në lagjen “Milet Bahçe” të Pejës.
Kelmendi mori plagë të rënda në gjoks dhe në këmbën e majtë dhe aktualisht po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetë, thanë mjekët nga Emergjenca e QKUK-së.
Ndërsa, i dyshuari, pas të shtënave rreth orës 22:30, u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një veturë Volkswagen, sipas raportimit të portalit Sinjali.
Por, ai u vetëdorëzua në Stacionin Policor të Pejës të martën në mëngjes, njoftoi Policia.
Prokuroria, në një njoftim të veçantë, tha se prokurori i rastit e ka ndaluar 29-vjeçarin dhe e ka dërguar atë në mbajtje për 48-orë.
Portali Sinjali raporton bazuar në burime se një arsenal armësh u sekuestrua nga Policia e Kosovës pas një bastisjeje të zhvilluar në shtëpinë e të dyshuarit të hënën në mesnatë.
73 fishekë të kalibrit 7.65 mm, një karikator me 30 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy karikatorë me 11 fishekë të kalibrit 9×19 mm u gjetën në shtëpinë e Krasniqit.
Rasti po hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Pejë, nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.



