Dhunë e rëndë familjare në Shkup: Kërcënoi gruan me thikë, plagosi familjarët dhe lëshoi qenin mbi ta

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë penale ndaj një 36-vjeçari, i dyshuar për lëndim trupor, rrezikim të sigurisë dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pas një incidenti të rëndë të dhunës në familje.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në shtëpinë familjare, ku i dyshuari fillimisht ka nisur të bërtasë dhe të kërcënojë gruan e tij dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të moshës katër dhe gjashtë vjeç.

Kur gruaja i kërkoi të ndalonte, ai e kapi për krahu dhe e shtyu, duke i shkaktuar lëndime. Më pas situata u përshkallëzua, pasi ai filloi të thyente mobilje dhe goditi nënën e bashkëshortes, duke i shkaktuar lëndime në këmbë dhe gjoks.

Sipas autoriteteve, 36-vjeçari kërcënoi se do t’i vriste të gjithë të pranishmit dhe madje se do ta mbyste një nga fëmijët e tij. Në një moment ai nxori një thikë dhe vazhdoi me kërcënimet, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri tek familjarët.

Pasi gruaja arriti të telefononte babanë dhe vëllain e saj për ndihmë, i dyshuari vazhdoi t’i kërcënonte edhe ata. Situata u bë edhe më e rrezikshme kur ai lëshoi qenin e tij të racës Sharplaninec, i cili sulmoi dhe kafshoi një nga familjarët në krah dhe në këmbë.

Për shkak të seriozitetit të rastit, rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprave penale, prokurori i rastit ka kërkuar nga Gjykata Themelore Penale në Shkup caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Hetimet për rastin janë në vazhdim.

By admin