Danny Pintauro, i njohur për rolin e tij në serialin hit të viteve ’80 “Who’s the Boss?”, ka zbuluar një anë krejt ndryshe të jetës së tij aktuale.
Aktori 50-vjeçar ka treguar se aktualisht punon si shpërndarës pakosh për Amazon Flex, ndërsa përpiqet të rikthehet në industrinë e aktrimit, e cila sipas tij është ngadalësuar ndjeshëm vitet e fundit.
Në një intervistë për mediat amerikane, ai ka sqaruar se të ardhurat nga seriali i famshëm nuk janë aq të larta sa mendohet nga publiku. Sipas tij, pagesat nga ripërsëritjet (residuals) janë minimale dhe shpesh nuk mjaftojnë për jetesë.
“Shumë njerëz mendojnë se nëse je i njohur, je i siguruar financiarisht, por nuk është kështu,” është shprehur ai, duke theksuar se sot shumë aktorë detyrohen të punojnë disa punë njëkohësisht.
Pintauro ka treguar se puna si shpërndarës i jep fleksibilitet, ndërsa i lejon të vazhdojë audicionet dhe projektet e reja në aktrim.


