Një incident i rëndë është raportuar në Prishtinë, ku disa vajza të mitura janë përfshirë në një sulm fizik ndaj një bashkëmoshatareje, që ka përfunduar edhe me grabitje, mëson Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 22 prill 2026, rreth orës 12:50, në rrugën “Viktor Majer”, ndërsa rasti është raportuar në polici rreth orës 13:05 si “rrahje në progres”.
Në vendin e ngjarjes, njësia policore ka takuar viktimën me inicialet E.K., e mitur, e cila ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga disa vajza që i njeh.
Nga veprimet hetimore dhe analizimi i video-incizimeve, rezulton se në rast janë përfshira pesë të dyshuara të mitura me inicialet E.R., B.M., A.J. dhe S.J.
Sipas informatave, gjatë incidentit njëra prej të dyshuarave, dyshohet se i ka marrë viktimës 5 euro me forcë, të cilat ajo i kishte mbi tavolinë.
Të gjitha të dyshuarat janë intervistuar në prani të prindërve, përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale dhe avokatëve, ndërsa njëra prej tyre, për shkak të moshës nën 14 vjeç, është trajtuar sipas procedurave përkatëse nga QPS.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Sulm” ndaj katër të dyshuarave dhe “Grabitje” ndaj njërës prej tyre.
Po ashtu, me vendim të prokurores kujdestare, të dyshuarat janë ndaluar për 24 orë.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.

