Idriz Rrecaj nga Llausha e Skënderajt është njëri prej tre viktimave të konfirmuara nga analizat e ADN-së që iu bënë mbetjeve mortore të gjetura në lokacionet e varrezave masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut në veri të vendit, 27 vjet pas luftës.
Fidaim Rrecaj, djali i aktivistit të LDK-së në Drenicë tha në KosovaLive në T7 se vazhdimisht kanë pritur lajme për fatin e tij.
“Më në fund dha rezultat kjo pritje. Atje ka pasë gërmime të vazhdueshme, në atë pjesë të Zubin Potokut, ku edhe ka qenë dyshimi. Kanë punu, janë ndërpre punimet, kanë vazhdu ashtu kohë pas kohe”, tha ai.
Fidaimi tha se “është kryer një punë e mirë sepse për familjen është e rëndë kjo pritje”.
Djali i Idriz Rrecajt tha se familjen e kanë prekur edhe shkrime të ndryshme në internet që e kanë lidhur vrasjen e këtij veprimtari me ish Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).
“Baba ka qenë figura qendrore në Drenicë. E tash ka shkrime nëpër Facebook që e lidhin me gjëra… jo SHIK-u, jo… Është e padrejtë kjofarë pune, sepse ne, përveç Serbisë ne nuk e kemi akuzuar kurrë askënd”, tha ai.
“Serbia ka qenë ajo që i ka bërë këto masakra, këto varreza masive. Ne e dimë të gjithë”, tha Fidaim Rrecaj.
Djali i Idriz Rrecajt tha se familja s’ka dyshuar kurrë për fajtorin dhe nuk e ka drejtuar gishtin ndaj askujt tjetër.
“Ne përveç Serbisë, tjetër fajtor nuk kemi pa, as nuk ka në këtë rast dhe në asnjë rast të Kosovës”, tha ai.



