Doktoresha e UÇK-së: Kush është Time Kadrijaj, deputetja që e goditi me vezë Albin Kurtin?

Aksioni politik i deputetes së Aleancës për Ardhërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka zënë ballinat e mediave vendore gjatë së shtunës, kur ajo gjuajti me vezë deputetin Albin Kurti, pasi ky i fundit nuk propozoi emrin e kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës, duke e zvarritur edhe më tej formimin e institucioneve të vendit.

Momentin që u komentua shumë nga opinionin publik mund ta ndiqni në një video të xhiruar nga fotoreporteri i Nacionales, Visar Kadrolli.

Kush është Time Kadrijaj?

Time Kadrijaj njihet si njëra nga deputet më të zëshme të Kuvendit të Kosovës, e cila ka ngritur kritika të ashpra shumë shpesh, sidomos ndaj Qeverisjes aktuale.

Ajo kishte kundërshtuar me aksione politike në Kuvend edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

E lindur më 14 shkurt të vitit 1965, Kadrijaj ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe është specializuar në gjinekologji.

Para angazhimit të saj të gjatë në politikë, ajo ka ushtruar profesionin e mjekes në shoqatën humanitare “Nënë Tereza” dhe gjatë luftës në Kosovë ka shërbyer si mjeke në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pas luftës, Kadrijaj ka drejtuar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan. Ajo ka shërbyer gjithashtu në Ministrinë e Shëndetësisë, fillimisht si zëvendëskryeinspektore dhe më pas në detyrën e ushtrueses së detyrës së kryeinspektores.

Në politikë, Time Kadrijaj është pjesë e AAK-së dhe ka shërbyer në disa legjislatura të Kuvendit të Kosovës. Gjatë angazhimit parlamentar, ajo ka qenë pjesë e disa komisioneve, përfshirë Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Komisionin për Integrime Evropiane, Komisionin për Bujqësi, si dhe komisionet që lidhen me politikën e jashtme dhe diasporën.

Përveç angazhimit politik dhe institucional, Kadrijaj është përfshirë edhe në çështje që lidhen me të drejtat e njeriut dhe fuqizimin e rolit të grave në shoqëri.

By admin7