Një tjetër sukses i rëndësishëm për mjekësinë dhe shkencën kosovare po shënohet në arenën ndërkombëtare. Prof. Dr. Venera Berisha-Muharremi po përfaqëson Kosovën dhe Universitetin e Prishtinës në kongresin prestigjioz ENDO 2026 në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku marrin pjesë mbi 7 mijë mjekë dhe shkencëtarë nga e gjithë bota.
Si anëtare e Endocrine Society, ajo do të prezantojë një punim shkencor mbi Photobiomodulimin, një qasje inovative që përfshin trajtimin me laser të tiroides, duke sjellë në qendër të vëmendjes kërkimin shkencor dhe potencialin e mjekësisë kosovare.
Përmes një postimi, Prof. Dr. Berisha-Muharremi e cilësoi këtë si një nder të veçantë dhe një mundësi të jashtëzakonshme për të prezantuar punën dhe inovacionin para elitës globale të endokrinologjisë. Ajo shprehu mirënjohje edhe për bashkëpunëtorët e saj, të cilët kontribuuan në realizimin e këtij suksesi.
Pjesëmarrja dhe prezantimi në një forum të këtij niveli konsiderohen një arritje e madhe jo vetëm për karrierën e saj profesionale, por edhe për promovimin e Kosovës në hartën ndërkombëtare të kërkimit shkencor dhe mjekësisë moderne.

