Presidenti amerikan, Donald Trump, është bërë sërish objekt kritikash dhe talljesh në rrjetet sociale, pasi një video nga finalja e NBA-së në New York u bë virale, duke nxitur pretendime se ai kishte fjetur gjatë ndeshjes.

Pamjet tregojnë Trumpin me sytë e mbyllur për disa dhjetëra sekonda teksa ndiqte ndeshjen, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta në internet. Kritikët e tij e kanë quajtur me nofka si “Dozy Don” (Doni i përgjumur) dhe “The Nodfather”, duke ironizuar gjendjen e tij gjatë paraqitjeve publike.
Videoja është shpërndarë gjerësisht në rrjetin social X, ku shumë përdorues kanë vënë në pikëpyetje energjinë dhe gjendjen fizike të presidentit amerikan. Disa komentues pretenduan se Trump kishte bërë një sy gjumë gjatë një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive në SHBA.

Debati është intensifikuar edhe nga një incident i ngjashëm i raportuar javën e kaluar në Zyrën Ovale, ku Trump u pa disa herë me sytë e mbyllur gjatë një aktiviteti kushtuar industrisë së qymyrit. Edhe atëherë, në rrjetet sociale u ngritën pretendime se presidenti kishte fjetur gjatë takimit.
Megjithatë, vetë Trump i ka hedhur poshtë këto akuza në raste të mëparshme, duke deklaruar se ndonjëherë i mbyll sytë për t’u çlodhur ose për t’u përqendruar, dhe jo sepse është në gjumë.
Pamjet e fundit kanë rikthyer diskutimet mbi moshën dhe gjendjen shëndetësore të Trumpit, ndërsa mbështetësit e tij i konsiderojnë këto kritika si sulme politike dhe interpretime të ekzagjeruara të videove që qarkullojnë në internet.

